Duke filluar nga data 01/08/2024, hyn në fuqi Udhëzimi i ri “Për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal”. EB Invest në këtë përmbledhje sjell disa nga ndryshimet më të rëndësishme të parashikuara në Udhëzimin në fjalë.
- Dorëzimi i Dokumentacionit bëhet elektronik. Dokumentacioni shoqërues i aplikimit së bashku me formularin përkatës (siç specifikohet në Marrëveshje), do të ngarkohet online në faqen e tatimeve të secilit tatimpagues. Në rast mungese të dokumentacionit, struktura përkatëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të kërkojë informacion shtesë, por në çdo rast si datë aplikimi do të konsiderohet aplikimi fillestar. Kontrolli i mësipërm është i llojit procedurial, pasi zbatimi i marrëveshjes do t’i kalojë kontrollit tatimor ashtu si çdo lloj takse tjetër në Republikën e Shqipërisë.
- Ndryshon afati i dorëzimit të dokumentacionit. Tatimpaguesi është i detyruar të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda vitit pasardhës të vitit në të cilin ka ndodhur zbatimi i Marrëveshjes. Nëse kalohet ky afat, tatimpaguesi do të jetë subjekt i një gjobe prej 10,000 lekë për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 24 muaj nga momenti i zbatimit të Marrëveshjes. Nëse tatimpaguesi nuk paraqet dokumentacionin edhe pas kalimit të afatit prej 24 muajsh, atëherë tatimpaguesi humbet të drejtën e zbatimit të dispozitave të Marrëveshjes, dhe duhet të paguajë/kthejë tatimet e papaguara apo pjesën e reduktuar të tatimit sipas MSHTD-së, si edhe gjobat dhe interesat për pagesë të vonuar në përputhje me Ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Dokumentacioni i kërkuar për ngarkim
- Formularin online (deklaratë e digjitalizuar) sipas modelit të përcaktuar në Udhëzim;
- Kontratat e shërbimit me kompaninë jorezidente, në gjuhën/gjuhët që është nënshkruar nga palët. Në rastet e kontratave komplekse, dhe kur administrata tatimore ka vështirësi në zbërthimin dhe kuptueshmërinë e kontratave apo natyrës së shërbimeve, struktura përkatëse mund të kërkojë përkthimin në gjuhën shqipe të kontratës, si dhe sqarime me shkrim.
*Nëse nuk ka kontratë të nënshkruar ndërmjet palëve, tatimpaguesi duhet të specifikojë dhe paraqesë nëpërmjet vetëdeklarimit në dokumentacionin e tij faktet e mëposhtme:
- llojin e shërbimit të ofruar;
- kohëzgjatjen e këtij shërbimi;
- mënyrën e ofrimit të shërbimit (online, onsite);
- nëse për ofrimin e shërbimit ka prezencë fizike në territorin e Republikës së Shqipërisë, të përcaktohet saktësisht kjo e fundit;
- të ndahen pagesat për të drejtat e përdorimit, markat tregtare, licencat etj., në furnizimet e përziera (shërbim dhe pagesa për honorare).
- Certifikata e rezidencës për furnitorin (personin jo rezident në Shqipëri), që është rezident në Shtetin tjetër Kontraktues, lëshohet nga autoritetet kompetente të atij shteti. Kjo certifikatë pranohet në formë elektronike ose në letër, sipas formatit të lëshuar nga autoritetet përkatëse të Shtetit tjetër Kontraktues.
- Një listë analitike në formë tabelare dhe përmbledhëse të faturave të huaja (numër dhe datë e faturës, përshkrimi etj.) të lëshuara nga rezidenti tatimor në shtetin tjetër, për të cilat është zbatuar MSHTD-ja, ose dokumente të tjera mbi të cilat mbështetet transaksioni.
- Një listë analitike në formë tabelare dhe përmbledhëse e informacioneve mbi pagesat e kryera nga tatimpaguesi rezident tatimor në Shqipëri për tatimpaguesin rezident tatimor në shtetin tjetër, përfshirë bankën ku është bërë transferta, si dhe datën dhe shumën e transferuar dhe për të cilat është zbatuar MSHTD-ja, apo të formave të tjera të shlyerjes/kompensimit të rëna dakord midis palëve.
Lëshimi i certifikatës së rezidencës tatimore për tatimpaguesit rezidentë në Shqipëri
Për tatimpaguesit e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, certifikata e rezidencës lëshohet përmes portalit e-Albania.
Për individët, certifikata e rezidencës lëshohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, për të cilën duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës që përfshin, kërkesën për certifikatë, kopjen e deklaratës së të ardhurave, kontratën e punës, vërtetimin e qëndrimit në Shqipëri për më shumë se 183 ditë, ose provën e punësimit në një institucion shqiptar jashtë vendit.
Për të dy kategoritë e mësipërme, certifikata e rezidencës tatimore lëshohet sipas formatit të përcaktuar në aneksin 3 të Udhëzimit në fjalë.
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, udhëzimi nr. 6, datë 10.2.2004, “Për marrëveshjet bilaterale për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal”, shfuqizohet.